Panik te Rumania: Mircea Lucescu dërgohet në spital pas një gjendjeje të fikëti
Momente ankthi janë përjetuar në kampin e Rumanisë, pasi trajneri veteran Mircea Lucescu ka përfunduar në spital pas një incidenti gjatë përgatitjeve të fundit të skuadrës.
80-vjeçari ka pësuar një gjendje të fikëti gjatë një mbledhjeje teknike, pak para nisjes së ekipit drejt Sllovakisë. Ngjarja ndodhi në prani të lojtarëve, duke shkaktuar shqetësim të menjëhershëm në skuadër. Ndihma e parë iu dha nga asistenti i tij, ndërsa më pas u ndërhy nga stafi mjekësor që e stabilizoi gjendjen e tij.
Lucescu u transportua në një spital në Bukuresht, ku pas ekzaminimeve mjekësore u konfirmua se bëhej fjalë për një gjendje të shkaktuar nga lodhja dhe stresi, dhe jo për probleme kardiake. Aktualisht, ai ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Për shkak të kësaj situate, trajneri nuk do të jetë në pankinë për ndeshjen miqësore ndaj Sllovakisë. Megjithatë, vetë Lucescu ka deklaruar se ndihet më mirë dhe pritet të rikthehet së shpejti, ndërsa vazhdon të kryejë kontrolle shtesë.
Kujtojmë se ai kishte shprehur më herët vendosmërinë për të drejtuar Rumaninë në play-off, në një përpjekje për ta rikthyer skuadrën në Botëror pas një mungese të gjatë.