Goditje për Shqipërinë: Muçi largohet nga grumbullimi, mungon ndaj Ukrainës
Kombëtarja shqiptare ka marrë një lajm jo të mirë para miqësores ndaj Ukrainës, pasi sulmuesi Ernest Muçi është larguar nga grumbullimi dhe nuk do të jetë i disponueshëm për këtë ndeshje.
Kuqezinjtë zhvilluan seancën e radhës stërvitore në qendrën sportive Parador de El Saler në Valencia, ku skuadra u stërvit për rreth një orë me intensitet të lartë. Trajneri Sylvinho dhe stafi teknik u fokusuan fillimisht në përgatitjen fizike, përpara se të kalonin në ushtrime me topin dhe ndeshje kontrolli.
Sipas njoftimit të Federata Shqiptare e Futbollit, Muçi nuk mori pjesë në stërvitje për shkak të një shqetësimi në pjesën e pasme të kofshës së djathtë. Pas ekzaminimeve me rezonancë magnetike, u konstatua një edemë muskulore, që kërkon disa ditë pushim për rikuperim të plotë. Për këtë arsye, ai nuk do të jetë gati për ndeshjen ndaj Ukrainës dhe është lejuar të largohet për të vijuar rikuperimin në Turqi.
Ndërkohë, në stërvitjen e fundit mungoi edhe mesfushori Jasir Asani, i cili ka pësuar një goditje në gjurin e djathtë. Gjendja e tij po monitorohet nga stafi mjekësor dhe pritet të vendoset në ditët në vijim nëse do të rikthehet në stërvitje.
Ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Ukrainës do të zhvillohet më 31 mars, në orën 20:45, në stadiumin Estadi Ciutat de València, në Valencia.